Çfarë është kambio robotike?
Kambio robotike është një menjaqe manuale me friksion të zakonshëm, ku pedalin e friksionit dhe levën e marsheve i ka zëvendësuar një sistem automatik. Aktuatorët e hapin friksionin dhe e fusin marshin, ndërsa njësia e kontrollit (TCU) vendos kur. Ju e ngisni si automatike, pa pedal friksioni.
Njihet me shumë emra: menjaq robotik, kambio e robotizuar, gjysmë-automatike ose AMT. Nuk është e njëjtë me automatiken klasike me konvertor, as me DSG me dy friksione, prandaj kërkon diagnostikim dhe vegla të veçanta.
Elektro-hidraulike
Një pompë elektrike mban presion në një akumulator, dhe valvulat e drejtojnë lëngun hidraulik te cilindrat që lëvizin friksionin dhe marshet. Kështu punojnë Fiat Dualogic, Alfa Romeo Selespeed, BMW SMG dhe Ferrari F1. Defektet tipike janë te pompa, akumulatori, valvulat dhe rrjedhjet.
Elektro-mekanike
Motorë elektrikë të vegjël e lëvizin friksionin dhe marshet, pa hidraulikë. Kështu punojnë Opel Easytronic i gjeneratës së parë dhe Toyota MMT. Defektet tipike janë te motorët e aktuatorëve, sensorët e pozicionit dhe friksioni i konsumuar.
Shenjat e defektit
- Pulson shkronja e marshit në ekran (N, F ose E) ose ndizet drita e kambios
- Bie zile dhe vetura mbetet në neutral
- Marshi nuk futet, ose futet me vonesë dhe me goditje
- Vetura niset me hov, dridhet në nisje ose friksioni rrëshqet
- Pompa hidraulike punon shpesh ose gjatë
- Motori nuk ndizet, sepse kambio nuk e konfirmon neutralin
Shumicën e këtyre defekteve i rregullojmë pa ndërruar gjithë kambion. Sa më herët ta sillni veturën, aq më e vogël mbetet puna.
Si e riparojmë
- Diagnostikim me tester. Lexojmë kodet e defekteve dhe vlerat në kohë reale të aktuatorëve, sensorëve dhe presionit.
- Kontroll i friksionit. Matim sa është konsumuar, që të mos riparojmë aktuatorin mbi një friksion të djegur.
- Çmim fiks. Ju tregojmë shkakun dhe çmimin me shkrim para se të fillojë puna.
- Riparim i pjesës që ka dështuar: aktuatori, pompa, akumulatori, sensori ose instalimi, jo gjithë kambio.
- Kalibrim. Me tester ia mësojmë njësisë së kontrollit pikën e kapjes së friksionit dhe pozicionet e marsheve. Pa këtë hap, edhe pjesa e re punon keq.
- Provë në rrugë dhe garanci. Vetura ju dorëzohet me garanci 12 muaj për pjesët dhe punën.